Vrasja e grave dhe dhuna ndaj tyre po tronditë Kosovën, çka po ndikon në rritjen e këtyre fenomeneve?

Kosova u trondit sërish këtë javë, kur mediat gjermane njoftuan se një grua 28-vjeçare, shtetase kosovare vdiq si pasojë e dhunës së ushtruar në të nga ish-bashkëshorti i saj, po ashtu kosovar. Edhe njëherë emri i Kosovës u lakua në mediat ndërkombëtare, teksa dukuria e vrasjes së grave ishte sërish kryefjala në këto raportime, shkruan Gazeta Enigma.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, viti 2018 dhe 2020 janë vitet me numrin më të lartë të vrasjes së grave në Kosovë, që nga 2010-ta, e ato kryesisht dyshohet se u vranë nga partnerët e tyre. 7 gra u vranë në vitin 2018, e i njëjti numër ishte edhe në vitin 2020.

Ndërkohë vitin që e lamë pas, në vitin 2022 u raportuan 4 vrasje të grave. Në dhjetor të 2022 ndodhi edhe një vrasje makabre e një gruaje, nga burri i saj në QKUK, teksa e ndjera po priste lindjen e fëmijës së saj.

Këtë vit, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur vetëm një vrasje.

E përpos vrasjeve, në Kosovë çdo ditë ndodhin edhe raste të dhunës në familje, ku dhuna kryesisht ushtrohet ndaj grave.

Lidhur me këtë çështje, për Gazetën Enigma janë deklaruar nga Policia e Kosovës.

“PK që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje  është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe  trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim në Polici.

Nga PK kanë potencuar se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen  nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. “Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme”.

Policia ka përdorë forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj.


Çka po e rrit numrin e vrasjeve dhe dhunës në familjes sipas psikologut

Psikologu, Imri Zabeli në një deklarim për Gazetën Enigma ka thënë se ndonëse po rritet numri i rasteve të dhunës, njëtrajtshëm po rritet edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për këtë dukuri.

“Dhuna në familje është një dukuri që vazhdon ta përcjell shoqërinë tonë. Duke qenë se familja është një sistem relativisht i mbyllur, shpesh herë është e vështirë që të identifikohet se në çfarë niveli është prezent dhuna në familje. Ajo që po mund të shohim tani është që me shumë raste po raportohen për dhunë në familje, e çka është po ashtu evidente në shoqërinë tonë është mobilizimi më i madhë institucional për ta trajtuar me seriozitet dhunën në familje e që si rrjedhojë ju jep siguri më të madhe të viktimave për ta raportuar dhunën”, tha Zabeli.

Metaliteti patriarkal sipas tij është faktori kryesor që ndikon në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në famile. “Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e dhunës brenda familjes janë të ndryshëm por disa më kryesore janë botëkuptimet patriarkale brenda familjes, mungesa e komunikimit efektiv, ndikimi brenda familjes i faktorëve të jashtëm që e dobësojnë kohezionin në familje siç janë interneti dhe rrjetet sociale”, theksoi ndër të tjera ai.

Faktor tjerë me rëndësi, sipas Zabelit për shfaqjen e dhunës në familje janë shëndeti mendor brenda anëtarëve të familjes, ku si rrjedhojë e çrregullimeve të ndryshme mendore apo edhe abuzimi me alkool droga dhe lojërat e fatit janë faktor me potencial për shfaqjen e dhunës brenda familjes. / GAZETA ENIGMA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *