Edhe pse tash e disa muaj, jo vetëm Kosova, por e gjithë bota po përballet me pandemi, për shkak të Virusit Covid-19, shumë njerëz nuk po mund tu rezistojnë temperaturave të larta dhe po kryejnë pushimet e tyre në vendet e tyre të preferuara bregdetare. Specialisti i Psikologjisë Klinike, z. Imri Zabeli, në një intervistë të realizuar nga Radio KFOR-i, pos tjerash tregoi se anulimi i pushimeve verore këtë vit, ka ndikim negativ për nga aspekti psikologjik: “Pushimet në bregdet janë pjesë e rëndësishme në kalendarin vjetor të secilës familje. Pushimet verore, të cilat kanë efekte pozitive psikologjike për secilin individ, këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19, shumë familje i kanë anuluar ato. Pushimet verore efektive ndikojnë pozitivisht në atmosferën brenda familjes, rritjen e suksesit të nxënësve në mësim nxënie derisa tek të rriturit ndikojnë në rritjen e performancës në punë dhe në interaksionin social. Mirëpo, mos realizimi i tyre ndikon në rritjen e mos tolerancës së individit, shenja të depresionit, rënie të performancës në punë dhe në mësime, rrjedhimisht edhe në atmosferën më pak pozitive brenda familjes”, tha z. Imri Zabeli.
Megjithatë, janë të shumtë qytetarët, që pavarësisht gjendjes pandemike, po i bëjnë pushimet në vendet e tyre të preferuara bregdetare, gjithnjë duke tentuar të gjejnë ambiente me sa më pak njerëz, për të shpëtuar nga Virusi Covid-19.